Qytetarët duhet të kenë një zë real në vendimmarrje dhe garancia kryesore për ta patur këtë zë është referendumi! Pse është i rëndësishëm një ligj për referendumet?
Referendumet janë një instrument juridik, i cili u mundëson qytetarëve (me të drejtë vote në Republikën e Shqipërisë) një kontroll të drejtpërdrejtë mbi vendimet e të zgjedhurve në nivel të qeverisjes vendore dhe asaj qendrore. Ky instrument juridik bën të mundur aplikimin e demokracisë së drejtpërdrejtë, sa herë që konstatohet se të zgjedhurit marrin vendime në dëm të interesit publik, qofshin ato edhe të bazuara në kuadrin ligjor në fuqi.
Referendumet janë një e drejtë kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 2, pika 2, përcakton se “populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”. Në nenin 150, paragrafi 3, Kushtetuta përcakton se “parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj”.
E drejta për referendum, si formë e ushtrimit të drejtpërdrejtë të vendimmarrjes demokratike, është një e drejtë kushtetuese në Republikën e Shqipërisë, por nuk është e realizueshme edhe pas 25 viteve nga miratimi i Kushtetutës, pasi mungon një ligj i posaçëm për referendumet.
Aktualisht, në kuadrin ligjor shqiptar, ekzistojnë vetëm disa dispozita jo të plota në Kodin Zgjedhor të vitit 2003 mbi procesin referendar, por thellësisht të paaplikueshme.
Referendumet janë një formë e ushtrimit të demokracisë direkte në nivelin e qeverisjes vendore. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “vetëqeverisja në njësitë vendore ushtrohet nëpërmjet organeve të tyre përfaqësuese dhe referendumeve vendore”, duke shtuar se “parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit vendor parashikohen me ligj”.
Përsa i përket pushtetit vendor, është aktualisht në fuqi ligji Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili nuk përcakton asnjë procedurë për mënyrën se si mund të mbahen referendumet në nivel të qeverisjes vendore.